Subvencionimi i rrymës për vitin 2026–2027 këto janë kushtet e përfitimit për familjet që priten të kenë përparësi

Qeveria e Kosovës ka njoftuar se do të ndajë 15 milionë euro për subvencionimin e faturave të energjisë elektrike për konsumatorët e cenueshëm në kuadër të Programit për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026–2027.

Megjithatë, jo çdo familje do të përfitojë automatikisht nga kjo mbështetje, pasi statusi i konsumatorit të cenueshëm do të lidhet me një sërë kriteresh sociale, ekonomike dhe shëndetësore.

Sipas nenit 23 të Projektligjit për Energjinë, i cili kaloi në lexim të parë në Kuvend më 5 tetor, ministria përgjegjëse për mirëqenien sociale do të vendosë për njohjen, ndryshimin dhe ndërprerjen e statusit të konsumatorit të cenueshëm. Kriteret e hollësishme do të përcaktohen përmes një akti nënligjor.Projektligji përcakton tri fusha kryesore mbi të cilat mund të bazohet fitimi i këtij statusi: niveli i të ardhurave, përfitimi nga skemat e ndihmës sociale dhe gjendja shëndetësore që kërkon përdorimin e pajisjeve që konsumojnë energji elektrike.

Kjo do të thotë se familjet me të ardhura më të ulëta, përfituesit e skemave sociale dhe familjet që kanë anëtarë të varur nga pajisje mjekësore elektrike pritet të jenë ndër kategoritë kryesore që do të merren parasysh gjatë përcaktimit të përfituesve. Megjithatë, kriteret konkrete të të ardhurave dhe kufijtë financiarë ende nuk janë bërë publikë.Projektligji parasheh që ministria, në bashkëpunim me ministrinë përgjegjëse për energjinë dhe pas konsultimeve me furnizuesit, t’i propozojë Qeverisë aktin nënligjor për konsumatorët e cenueshëm brenda nëntë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.

Me këtë akt do të përcaktohen mënyra e fitimit dhe verifikimit të statusit, kategorizimi i përfituesve, forma e mbështetjes, detyrimet e operatorëve dhe furnizuesve, si dhe përmbajtja e regjistrit të konsumatorëve të cenueshëm.

Ministri Andin Hoti ka paralajmëruar ndërkohë se gjatë ditëve në vijim pritet të nënshkruhet vendimi me kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që më pas të hapet thirrja për aplikim. Kjo do të bëjë të qartë edhe se sa duhet të jenë të ardhurat e një familjeje dhe cilat kategori do të përfitojnë konkretisht nga subvencionimi.Pas njohjes së statusit, ministria do të ketë obligim që brenda tetë ditësh kalendarike të njoftojë qytetarin, operatorin e sistemit të shpërndarjes dhe furnizuesin përkatës.

Ministria do të krijojë dhe përditësojë gjithashtu një regjistër të konsumatorëve të cenueshëm, ku parashihet të përfshihen të dhëna për moshën, gjininë, statusin social dhe ekonomik, varfërinë energjetike dhe faktorë të tjerë të rëndësishëm.Projektligji parasheh edhe masa mbrojtëse për personat që fitojnë këtë status.

Furnizuesi do të jetë i detyruar t’u ofrojë kontratë furnizimi konsumatorëve të cenueshëm dhe të krijojë mekanizma ndihmës me qëllim shmangien e shkyçjes nga energjia elektrike për shkak të faturave të papaguara.Pra, ndarja prej 15 milionë eurosh është tashmë e paralajmëruar, por lista përfundimtare e përfituesve dhe kufijtë konkretë të të ardhurave pritet të bëhen të ditura me publikimin e kritereve dhe hapjen e aplikimit.

Artikuj të tjerë

Back to top button