
I veshur si ‘cosplay’ i Ibrahim Rugovës, Faton Peci u detyrua t’u skejohet gazetarëve dhe të dalë nga prapa ndërtesës së Kuvendit të Kosovës për te parkingu për t’i hipur veturës në drejtim të Prokurorisë Speciale. Ambientet e Ministrisë së Bujqësisë po rrapëlloheshin për prova nga Krimet Ekonomike rreth një skandali korruptiv të shpaluar nga gazetari Lirim Memetaj rreth dhënies me qira dhe funksionalizimin të Fabrikës së Mbetjeve Shtazore kundërligjshëm dhe me dyshime të rënda mbi gjurmësinë e pronësisë së kompanisë së kontraktuar. Shifra në total grumbullohet deri në 60 milionë euro që peshon mbi ministrinë në bazë të asaj kontrate. Për pesë orë Peci u mor në pyetje si i pandehur nga organet hetuese.
Nga Vetëvendosje s’u deklaruan – përveç Albulena Haxhiut se “ka plan për dëmtim” të figurës së Faton Pecit – deri në një shpërthim të Donika Gërvallës, bashkëkryetares së Guxo-s. Kjo e fundit sulmoi dhe ‘kërcënoi’ prokurorinë me asgjë më pak se me “reformim të plotë të sistemit të drjetësisë”.
“Inskenim i gërditshëm i Blerim Isufajt”,shkroi Donika Gërvalla.
“Hakmarrje e shëmtuar ndaj betejës së suksesshme të Fatonit kundër korrupsionit dhe guximit të tij për t’u ballafaquar me secilën shkelje të ligjit, pa marrë parasysh se sa të rrezikshëm janë shkelësit dhe sa shumë shokë e ortakë kanë në Prokurorinë Speciale”, u shpreh Gërvalla.
“Kur pikërisht ata që e kanë për detyrë ta mbrojnë shtetin ligjor dhe qytetarët e Republikës nga krimi i keqpërdorin organet e drejtësisë për hakmarrje dhe për të njollosur figurat e suksesshme dhe të pastra politike, atëherë asgjë më nuk duhet të na habisë. Por, kthim prapa nuk ka. Deri në reformimin e plotë edhe të sistemit të drejtësisë”, tha Gërvalla.
Tjetër anë të tregimit – një inkurajuese – e dha Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku: ky i fundit i shpresshëm që guximi i prokurorëve kundër korrupsionit po lind.
“Edhe në Kosovë, sikurse në secilin vend tjetër në Evropë, do të del një ditë një prokuror a dy, djem e vajza të reja e të rinj, që kanë guxim e integritet të trajtojnë secilin akt korruptiv; secilën hajni. Edhe atë të pushtetarëve. Sidomos atë të pushtetarëve”, tha Abdixhiku.
“Atë ditë do të mburremi të gjithë – me shtetin tonë, me arritjet tona; me integritetin e njerëzve që i shërbejnë popullit të tyre pa frikë. Atë ditë, piskamat e politikanëve që mbrojnë hajninë vetëm pse hajni është i tyre – atë që u bërtet me fakte mu para syve – atë ditë, këto piskama nuk do të kenë më asnjë vlerë”, shtoi ai.
“Le të shpresojmë e besojmë, se pas aq shumë vitesh pritjeje, një guxim i tillë tashmë ka lindur. Dhe me të, ka lindur dhe një epokë e re e popullit tonë. Në këtë epokë, një e vërtetë e pashmangshme do të qëndrojë gjithëherë – se paret e vjedhura nga ata që e shohin veten mbi shtet, ligj e vend, do të kthehen cent më cent. Nga të gjithë!”, përundoi Abdixhiku.