
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar ashpër ndaj asaj që ai e cilëson si një sabotim të organizuar në kryeqytet, përmes bllokimit të shërbimeve të pastrimit dhe përhapjes së mbeturinave në qytet.
Abdixhiku shkroi në Facebook “fushata në Prishtinë paska nisur, me mbeturina”, duke akuzuar kundërshtarët politikë për përpjekje për të dëmtuar imazhin e Komunës për qëllime elektorale.
Sipas tij, ndërmarrja përgjegjëse për pastrim është marrë jashtë menaxhimit komunal nga kundërshtarët politikë, të cilët tani, sipas tij, po e përdorin për të krijuar krizë artificiale.
“Fushata në Prishtinë paska nisur. Me mbeturina. Lodhët. Edhe keq. E gjitha, për hiçgjë. Me sabotazhë në njërën anë e me mendimtarë parapolitik gishtvënës në anën tjetër – krejt në sinkron. Një përpjekje e thatë, e ulët, që ngjall vetëm keqardhje. Keqardhje se sa larg shkon një betejë politike. Në vend të ideve konkrete, paskan zgjedhur sabotimin e shkaktimin e problemeve.
Këta që sot na bëjnë politikë mbeturinash, ka kohë që kanë marrë në kontrollë të plotë ndërmarrjen për pastrimin e tyre. Po, qytetarë, janë bërë bashkë dhe e mbajnë Ndërmarrjen Pastrimi jashta menaxhimit Komunal. Si të tillë e vendosin edhe në bojkot; bërllog plot, por ndërmarrja refuzon të punojë. E sa për të mos mjaftuar e gjithë kjo, mblidhen sërish në asamble, sërish bllok, për të ndaluar – besoni ose jo – angazhimin e dikujt tjetër për pastrim. Skenari gati. Telefonat gati. Fotografitë po. Qyteti me mbeturina plot, fushata vazhdon: Komuna s’po punon!” – tha ai.
Abdixhiku paralajmëroi se LDK-ja dhe Rama nuk do të ndalohet në këtë mënyrë.
“Nuk e ndaloni LDK-në e Përparimin kështu.
Kjo është Prishtinë.
Mund të provoni sabotazhin, por ju zgjatë veç pak ditë. Ne nuk ankohemi, ne gjejmë zgjidhje. Zgjidhja u bë. U bë menjëherë. Ka shumë mbështetës ky qytet, ka megjithatë punëtorë ky vend. Prishtina ecë. Kompani të tjera u angazhuan menjëherë; do të angazhohen dhe në vijim. Për një javë Prishtina do të pastrohet. Me të dhe logjika e sabotimit.
Dhe Prishtina sheh.
Ajo i njeh mirë këto praktika primitive të politikës së vjetër. Ato nuk shkojnë në Kryeqytet! Nuk shkojnë në Prishtinë. Këtu sabotazhi kriminal moti ka vdekë!”