
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e katër personave, mes tyre edhe tre shqiptarë, të cilët humbën jetën në një aksident tragjik në Greqi.
Përmes një postimi, Kurti ka kujtuar avokaten shqiptaro-amerikane Florida Hoxha, me të cilën ishte takuar vitin e kaluar në New York, gjatë vizitës së tij zyrtare për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Kurti ka treguar se Hoxha ishte ndër moderatoret e një bashkëbisedimi të organizuar nga Albanian Professionals and Entrepreneurs Network (APEN), ku ai kishte diskutuar me pjesëtarë të mërgatës shqiptare.
Ai ka vlerësuar optimizmin, respektin dhe përkushtimin e saj për të ndërtuar ura bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tyre të origjinës.
Në aksidentin tragjik, sipas Kurtit, humbën jetën Florida Hoxha, bashkëshorti i saj Ian Kirkpatrick, vëllai Florin Hoxha dhe bashkëshortja e tij, Eris Cani, e cila ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.
“Florida, Ian, Florini dhe Erisi nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që janë prekur nga këta katër profesionistë të rinj, të cilët kanë kontribuar kaq shumë në një kohë kaq të shkurtër, dhe ishin të vendosur për të kontribuar edhe më shumë në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.
Në fund, kryeministri ka shprehur ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave, duke përfunduar mesazhin me fjalët: “Qoftë e paharruar jeta e tyre shembullore”.



