Ballina

Gjendje alarmante: Katër punëtorë ndërtimtarie vdiqën për dy ditë, Policia po heton rastet

Katër punëtorë ndërtimtarie kanë vdekur në vendet e tyre të punës brenda dy ditëve të fundit. Rasti i fundit ka ndodhur dje në Skënderaj, i cili po hetohet si “vdekje e dyshimtë”. Reporteri.net ju sjell detaje rreth këtyre rasteve.

Një tjetër punëtor ndërtimtarie ka vdekur në vendin e tij të punës, gjatë ditës së djeshme në Skënderaj. Ky është rasti i katërt që nga e hëna.

Policia e Kosovës tashmë ka nisur hetime lidhur me vdekjen e tij. Përmes një njoftimi të lëshuar dje në mbrëmje, Policia ka thënë se është njoftuar se i njëjti kishte probleme shëndetësore dhe se gjendej i shtrirë.

Viktima është një 44-vjeçar, teksa rasti është iniciuar si “Vdekje e dyshimtë”.

“Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit e Njësisë Rajonale të Hetimeve dhe të krim teknikës e poashtu edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer veprimet hetimore dhe procedurat e nevojshme ligjore. Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupi i pa jetë dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ndërsa iniciohet rasti ,,Vdekje e dyshimtë” dhe hetimet  do të vazhdojnë për ndriçimin e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftim.

Lajmin për vdekjen e 44-vjeçarit e ka konfirmuar fillimisht Kryetari i Komunës, Fadil Nura. Sipas tij, dyshohet se viktima ka pësuar infarkt.

Të hënën kanë vdekur edhe tre punëtorë ndërtimtarie. Dy prej tyre në një vendpunishte në Gjakovë.

Ata kanë vdekur pasi kanë rënë nga kati i tretë i një objekti në ndërtim e sipër, ku po punonin.

Lidhur me rastin janë arrestuar investitori dhe punëkryesi. Ndaj tyre, Gjykata Themelore e Gjakovës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji.

Ata dyshohen se në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve.

“Sipas kërkesës, më 21 korrik 2025, në një vendpunishte në rrugën “Bardhyl Qaushi” në Gjakovë, si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse dhe moszbatimit të rregullave për siguri në punë, kanë humbur jetën dy punëtorë, H. J. dhe D. B., pasi ranë nga kati i tretë i objektit në ndërtim. Për këtë ngjarje, të dyshuar janë Xh. P., si person përgjegjës i “NTSH Sh….” Sh.P.K, dhe A. M., si person përgjegjës i “M. G.” Sh.P.K, të cilët në cilësinë e investitorit dhe punëkryesit nuk kanë siguruar pajisjet mbrojtëse dhe nuk kanë ndërmarrë masat e nevojshme për mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së punëtorëve”.

Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj tyre, por gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se në këtë fazë të procedurës penale masa e arrestit shtëpiak është e mjaftueshme për të siguruar praninë e dy personave të pandehur, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.

“Të pandehurit do të mbahen në arrest shtëpiak në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 21 korrik 2025 dhe do të zgjasë deri më 20 gusht 2025. Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës”, thuhet në njoftim.

Pak orë pas vdekjes së dy punëtorëve në Gjakovë, një punëtor tjetër i ndërtimtarisë ka vdekur në Istog. Ai kishte rënë para një muaji nga ndërtesa ku po punonte. Bëhet fjalë për një 65-vjeçar nga fshati Gurrakoc i Istogut.

Rastin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Ngjarja ka ndodhur në fshatin Gurrakoc të Istogut më 24 qershor, kur viktima kishte pësuar lëndime në vendin e punës. Për shkak të lëndime të rënda, ai fillimisht ishte dërguar në spitalin rajonal të Pejës, e më pas në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Me urdhër të prokrurorit, trupi i pajetë është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore”, ka deklaruar Gashi.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e ka cilësuar situatën alarmante dhe tejet shqetësuese.

Azemi ka kërkuar nga institucionet përgjegjëse që të veprojnë menjëherë për të ndalur këtë zinxhir tragjedish në vendin e punës.

“Prokuroria ka për obligim të marrë veprime, Policia dhe Inspektorati i Punës po ashtu. Ky vit ka nis si vit i kobshëm,” shtoi ai.

Pas këtyre rasteve, Inspektorati Qendror i Punës ka dalë me një reagim. Sipas Inspektoratit, nga janari kanë ndodhur 268 aksidente në vendin e punës, shtatë prej tyre me fatalitet.

“Ndërsa nga janari deri më sot kan ndodhur 7 aksidente me fatalitet dhe kjo është shifra zyrtare nga Inspektorati Qendror i Punës, të gjitha shifrat e tjera që ipen nga persona të tjerë të paautorizuar dhe jokompetent nuk janë të sakta dhe krijojnë pasiguri dhe dezinformojnë opinionin publikë”, thuhet në reagim.

Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, Inspektorati ka thënë se ka kryer 4 mijë e 751 inspektime dhe se ka shqiptuar 788 gjoba dhe se kanë ndodhur.

IQP thotë se është në proces të rekrutimit të 59 inspektorëve të rinj dhe se procedura për vlerësimin e tyre ka përfunduar.

“Me shpresë dhe përkushtim të plotë, synimi ynë është që kësaj radhe të finalizohet me sukses rekrutimi, në mënyrë që të rritet prezenca dhe efikasiteti i inspektorëve në terren, dhe të përmirësohet dukshëm mbikëqyrja dhe zbatimi i legjislacionit në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë”, thuhet në reagim.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button