
Ani pse përmenden disa opsioneve, i ndërlikuar vlerësohet procesi i kompensimit të konsumatorëve nga 34 komuna për dëmin e shkaktuar nga faturat e fryra të energjisë elektrike, si mbulim për katër komunat në veri në periudhën 2012-2017.
Pasi pranoi aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, Zyra e Rregullatorit për Energji po i sheh opsionet për zbatim.
“ZRRE-ja është duke e analizuar këtë aktgjykim dhe do të shqyrtojë të gjitha opsionet e mundshme ligjore, që i ka në dispozicion në lidhje me këtë rast. Pavarësisht që ky aktgjykim është mjaft kompleks, ZRRE-ja do t’i kryejë detyrat e saj, konform mandatit ligjor dhe për të gjitha veprimet që do të ndërmerren, opinioni publik do të njoftohet me kohë”, thuhet në reagimin e ZRRE-së.
Aktgjykimi i Supremes, tashmë i vërtetuar nga gjykata më e lartë në vend, obligon ZRRE-në të detyrojë KEDS-in të kompensojë konsumatorët në vlerë të totale 40.8 milionë euro.
Por, meqë periudha e kompensimit përfshin vitin 2012, para privatizimit të distribucionit dhe furnizimit, mund të ketë implikime dhe për KEK-un.
Në KESCO, KEDS dhe KEK nuk u deklaruan lidhur këtë temë.
Duke i dhënë rëndësi edhe kontekstit politik të problemit, eksperti i energjisë Naim Bujupi përmendi tri opsione për kompensim.
“Forma e parë është që kjo të bëhet përmes subvencionimit nga Qeveria e Kosovës. Forma e dytë është që të bëhet përshtatje në tarifa, që nënkupton se duhet të zbriten kostot për investime kapitale. Dhe, mënyra e tretë është t’i kërkohet KESCO-s të mbulojë këtë kosto nga fitimi i saj, që kam dyshimet e mia sepse ajo nuk do ta pranojë”, tha Bujupi.
Kompensimi përmes buxhetit të shtetit, respektivisht taksave, sipas gazetarit të ekonomisë Zekirja Shabani, nuk duhet të pranohet në asnjë rast.
“E vetmja formë e pranueshme dhe e obligueshme do të ishte që KESCO dhe KEDS-i, bashkërisht të gjejnë formën që t’i kompensojnë qytetarët direkt në faturat e energjisë elektrike. Për shkak se ne e kemi paguar njëherë energjinë elektrike, KESCO-ja ka fituar prej taksave tona, duke na faturuar më shumë energjinë elektrike, të shpenzuar nga qytetarët serbë në komunat veriore dhe çfarëdo forme tjetër, do të ishte e papranueshme për shkak se KESCO, KEDS, i ka marrë paratë dhe duhet t’i kthejë”, tha Shabani.
Aktgjykimi i Gjykatës Supreme, i vërtetuar nga Kushtetuesja, ka klauzolën e detyrimit në zbatim brenda 15 ditësh nga hyrja në fuqi.
Nga Shkurti 2012 e deri në fund të Tetorit 2017, konsumatorët nga 34 komuna, përmes faturave të fryra të energjisë, paguan për qytetarët në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin-Potok. Kjo ndryshoi më 2017, kur barra i kishte kaluar KOSTT-it.
Në një llogaritje jozyrtare, një konsumator i cili gjatë kësaj periudhe ka paguar mesatarisht 30 euro në muaj, mund të kompensohet në total rreth 70 euro.