Ballina

Dështimi i 39-të: Ngërçi vazhdon përkundër vendimit të Kushtetueses dhe takimeve politike

Dështoi edhe përpjekja e 39-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, ndërsa vendi vazhdon të qëndrojë në ngërç institucional, përkundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

Në vazhdimin e 39-të të seancës konstituive, të mbajtur sot, Lëvizja Vetëvendosje bëri sërish përpjekje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë të Kryetarit të Kuvendit. Por, ashtu si në rastet e mëparshme, iniciativës nuk iu bashkuan partitë opozitare.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të propozojnë anëtarët e tyre për komisionin e votimit, por këto subjekte refuzuan të marrin pjesë në proces.

Vetëm 53 votuan në favor të themelimit të komisionit ad-hoc, ndërsa nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Përballë mungesës së konsensusit dhe pjesëmarrjes së spektrit të plotë politik, Dehari ndërpreu seancën, duke njoftuar se ajo do të vazhdojë pasnesër në orën 11:00.

Kjo seancë vjen disa ditë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila përcaktoi që legjislatura e re ka një afat prej një muaji për të përmbyllur procesin e konstituimit – përkatësisht zgjedhjen e Kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Edhe takimi i fundit i së shtunës midis krerëve të partive politike, i ndërmjetësuar me synimin për të gjetur një zgjidhje, nuk solli rezultate. Mospajtimet, veçanërisht rreth kandidaturës së Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje për Kryetare të Kuvendit, vazhdojnë të mbajnë peng hapjen e rrugës për formimin e institucioneve të reja.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button