
Sot rreth orës 06:05, në rrugën “Brigada 161”, në Ferizaj, është raportuar një rast i “Lëndimit trupor”. Sipas të dhënave fillestare të hetimit, tre persona dyshohet se kanë sulmuar fizikisht, duke përdorur edhe mjete të forta, viktimën A.SH.
Si pasojë e sulmit, viktima ka pësuar lëndime trupore dhe fillimisht është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj, ndërsa më pas është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, njofton policia.
Në vendin e ngjarjes fillimisht kanë dalë ekipet reaguese dhe hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, “e më pas edhe hetuesit dhe krim-teknikët rajonal, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë mbledhur dëshmi dhe prova relevante për rastin”, vijon njoftimi.
Në konsultim me prokurorin e shtetit, “dy të dyshuarit, D.A.(26 vjeç) dhe A.A.(29 vjeç) janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve dhe pas përfundimit të procedurave, janë ndaluar për 48 orë.
Ndërsa, për të dyshuarin e mitur A.A.,(17 vjeç) është kontaktuar prokurori kujdestar për të mitur, i cili ka lëshuar aktvendim për ndalim prej 24 orësh”, konfirmoi policia.
Rasti është duke u hetuar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në koordinim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt.



