Vuçiqi i ashpër me Kroacinë e Slloveninë, mbështeten heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot në Beograd se Kroacia dhe Sllovenia kanë mbështetur propozimin për heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, ndërsa Franca dhe Hungaria kanë qenë kundër këtij hapi.

Duke folur për mediat, Vuçiq akuzoi Kroacinë se ka “strategji doktrinare për shpërbërjen e shtetit serb”, megjithëse tha se “iu dëshiron të mirat” fqinjëve. Sipas tij, Zagrebi e sheh rrëzimin e tij nga pushteti si “qëllim prioritar”, sepse e konsideron atë “të dëmshëm për interesat afatgjata kroate”.

“Ua uroj të gjitha të mirat. Jam i sigurt se Serbia dhe Kroacia do të duhet të kenë marrëdhënie shumë më të mira në të ardhmen”, u shpreh Vuçiq, duke shtuar se mediat kroate kanë botuar mbi 25 mijë artikuj kundër tij vetëm në vitin e fundit.

Ai kritikoi gjithashtu heshtjen në Serbi rreth rolit të Francës në takimin e Këshillit të Punëve të Jashtme të BE-së. Sipas tij, Parisi, bashkë me Hungarinë, kundërshtoi heqjen e sanksioneve ndaj Kosovës, duke e mbështetur pozicionin serb.

“Francezët dhe hungarezët kundërshtuan dhe nuk kaloi. Por askush nuk e thotë se francezët ishin në anën tonë, dhe ishin”, tha presidenti serb. Ai shtoi se Italia ka dërguar letër për hapjen e Kapitullit 3 në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button