Kandidatja për deputete nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Xhevahire Vllasaliu, ka theksuar se fushata zgjedhore, përkundër lodhjes, mbetet një proces i rëndësishëm komunikimi dhe afrimi me qytetarët në të gjithë Kosovën.
“Së bashku me qytetarët, nga Prishtina në Kamenicë e Gjilan, po zhvillojmë takime të drejtpërdrejta, ku po ndahen përvoja, sfida dhe shqetësime reale për të ardhmen e vendit,” ka deklaruar Vllasaliu.
Ajo ka theksuar se shpresa e qytetarëve për një të ardhme më të mirë është obligim për politikën që të jetë më afër nevojave të secilit qytetar, pa dallim përkatësie apo bindjeje.
Sipas saj, Kosovës i nevojitet lidership i dëshmuar, siguri e garantuar dhe përfaqësim i ndershëm i interesit qytetar. “Vendit i duhet një politikë e përgjegjshme, që flet hapur, punon me përkushtim dhe ruan lidhjen e drejtpërdrejtë me qytetarët,” ka shtuar ajo.
Vllasaliu ka vënë në pah edhe rolin e kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj, duke theksuar se ai gëzon raporte të forta dhe të dëshmuara me institucionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, çka sipas saj përbën një garanci shtesë për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës.
“Sot, më shumë se kurrë, Kosovës i duhet siguri, zhvillim dhe lidership që gëzon besimin e aleatëve tanë strategjikë,” ka deklaruar Vllasaliu, duke ftuar qytetarët që të mbështesin Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn dhe kandidaturën e saj me numrin 15.
Ajo ka përfunduar duke theksuar se vetëm përmes bashkëpunimit mund të ndërtohet një Kosovë më e fortë, më e sigurt dhe më dinjitoze për të gjithë qytetarët.



