Zgjedhje milionëshe, transparencë minimale

Gati katër milionë euro u shpenzuan nga 28 subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

Vetëm pesë partitë kryesore – Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës/Nisma dhe Lista Serbe – shpenzuan rreth 3.6 milionë euro, sipas të dhënave që publikoi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ligji kërkon që partitë t’i dorëzojnë raportet financiare brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve.

Më 12 tetor u mbajtën edhe zgjedhjet lokale, ndërsa rundi i dytë i tyre do të mbahet më 9 nëntor. Të dhënat për këto fushata do të publikohen më vonë, por në zgjedhjet e kaluara lokale, më 2021, pesë partitë kryesore shpenzuan rreth 1.3 milion euro.

Përfaqësues të shoqërisë civile paralajmërojnë se shumat reale të shpenzuara mund të jenë shumë më të larta, duke i tejkaluar ato të raportuara në KQZ.

Kjo edhe rrit shqetësimin për mungesën e transparencës dhe kontrollit mbi paratë e qytetarëve.

Mexhide Demolli, drejtoreshë ekzekutive e Lëvizjes FOL – organizatë që promovon llogaridhënien në institucionet publike – thotë se partitë politike në Kosovë vazhdojnë të jenë jotransparente në raportimin e mjeteve të shpenzuara gjatë fushatave zgjedhore.

Sipas saj, është absurde që në raportet financiare të disa prej partive më të mëdha, të hyrat e deklaruara të jenë dukshëm më të ulëta se shpenzimet për periudhën përkatëse.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nga 16 gushti 2024 deri më 9 shkurt 2025, LVV ka deklaruar të hyra mbi 1.1 milion euro, PDK-ja mbi 559 mijë euro, LDK-ja mbi 94 mijë euro dhe AAK-ja mbi 18 mijë euro.

“Fatkeqësisht, ende mungon një mekanizëm i qartë dhe efektiv për monitorimin e shpenzimeve gjatë fushatës. Kjo është një nga problematikat kryesore që duhet të adresohet urgjentisht nga KQZ-ja”, thotë Demolli, duke shtuar se vetëm një sistem transparent do të siguronte raportime reale, e jo “sipas dëshirës” së partive.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk iu përgjigj interesimit të Radios Evropa e Lirë se a ka ndonjë mekanizëm për monitorimin e shpenzimeve të partive gjatë fushatave zgjedhore.

Profesori i Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Berim Ramosaj, e konsideron procesin e deklarimit të shpenzimeve nga partitë politike si një hap pozitiv drejt transparencës financiare.

Megjithatë, ai shpreh dyshime serioze për saktësinë dhe besueshmërinë e të dhënave të raportuara.

Sipas Ramosajt, kostoja e fushatave zgjedhore është rritur ndjeshëm vitet e fundit, kryesisht për shkak të përdorimit të gjerë të rrjeteve sociale dhe zhvillimit të marketingut politik.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button