Zgjedhjet lokale në Maqedoni, Ademi paralajmëron fitore të madhe të AKI-së përballë VLEN-it

Pas përfundimit të procesit të votimit në orën 19:00, në të gjitha komunat e Maqedonisë së Veriut janë mbyllur qendrat e votimit për zgjedhjet lokale të sivjetme – të tetat me radhë dhe të katërtat për zgjedhjen e kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve në 80 njësi të vetëqeverisjes lokale.

Nënkryetari i Aleancës Kombëtare për Integrim, Arbër Ademi, në një prononcim për Klan Kosovën u shpreh optimist për performancën AKI-së në këto zgjedhje, duke theksuar se trendi i deritanishëm është dukshëm pozitiv në raport me koalicionin VLEN.

Ai shtoi se, në bazë të të dhënave nga më pak se një e treta e kutive të numëruara, partia e tij po udhëheq në shumicën e komunave ku gara është më e fortë, duke paralajmëruar një fitore të rëndësishme në nivel shtetëror.

“Marrë përgjegjësi, në nivel shteti të kemi një fitore të madhe me një distancë të madhe të AKI-së përballë VLEN-it. Megjithatë është herët të flitet për rezultate përfundimtare por po flasim për trendin i cili është krijuar në më pak se 1/3 e votave të numëruara.

“Madje, në disa komuna nuk janë numëruar as 1/5 e votave. Mirëpo, ajo të cilën ne kemi përpunuar si shtab qendror flet për një trend tejet pozitiv, për një epërsi tejet të madhe të Aleancës Kombëtare për Integrim karshi VLEN-it”, tha Ademi.

Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve në Maqedoni, mbi 1 milion e 832 mijë qytetarë kishin të drejtë vote në këtë proces.

Procesi raportohet është zhvilluar përgjithësisht qetë dhe pa incidente të mëdha, megjithatë autoritetet kanë raportuar disa raste të parregullsive dhe arrestime të izoluara.

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në një konferencë për media deklaroi se janë arrestuar gjithsej 11 persona, prej të cilëve katër janë liruar, ndërsa shtatë të tjerë po mbahen në procedurë hetimore.

“Me krenari e them se zgjedhjet e sotme ishin më të qetat dhe më demokratiket deri më tani. Sot dëshmuam se kur instutucionet funksionojnë, demokracia është në rritje. Janë denoncuar 91 raste në gjithë Maqedoninë, shumica prej tyre kanë të bëj me blerjen e votës, fotografimin e votës, e kështu me radhë. Janë arrestuar 11 persona katër janë liruar ndërsa 7 të tjerët janë në procedurë e sipër”, tha ai.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button