Zjarri në Pejë: Dikush e akuzon avokatin se ia vuri flakën zyrës së vet, Binak Cena e mohon

Pjesa e objektit banesor që u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm te “Bill Clinton” në Pejë, dyshohet të jetë pronë e avokatit Binak Cena. Madje, janë ngritur dyshime edhe për zjarrvënie të qëllimshme.
Policia e konfirmoi rrugën ku ka ndodhur incidenti, në të cilën ndodhet edhe zyra e Cenës, por ky i fundit e mohoi, në një deklarim
Avokati tha se në fakt i është djegur banesa e familjes së tyre dhe s’ka asgjë të bëjë me ndonjë qëllim. Bile, fajin ia lë energjisë elektrike.
“Aty nuk është zyra, po banesa familjare. Dyshimet janë për mbitension të rrymës”,tha ai shkurt.
Por, një qytetar i kësaj zone, tha se zjarri është ndezur qëllimshëm nga vet avokati, pa përmendur se cili mund të jetë motivi.
A.Sh, në një përgjigje për Klankosova.tv, pretendoi se banorët në rrugën “Bill Clinton”, e kanë parë avokatin në momentin kur ka shpërthyer zjarri.
“E kanë pa komshinjtë që ai ka dalë dhe ka ikë. E ka mbyllë edhe derën”, u shpreh po i njëjti.
Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi, i cili ka deklaruar se banesa e përfshirë nga zjarri gjendej në katin e tetë.
“Në vendngjarje kanë dalë policia, zjarrfikësit dhe një ekip mjekësor. Policia ka evakuuar disa banorë, pasi në disa banesa më lart ishte përhapur tymi”, ka thënë Gashi.
Ndërkohë, Spitali Rajonal i Pejës ka bërë të ditur se lidhur me rastin në fjalë, institucioni ka pranuar 13 pacientë me probleme në frymëmarrje, pasi dyshohet se u shkaktuan nga tymi.



