
Një incident i rëndë me zjarrvënie është raportuar në orët e hershme të mëngjesit të së dielës në fshatin Ratkoc të Rahovecit, ku janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë djegien e një shtëpie, një autoambulance dhe dëmtime në objektin e Qendrës së Mjekësisë Familjare.
Ngjarja ka ndodhur më 21 dhjetor 2025, rreth orës 02:30, kur njësitë policore kanë pranuar informatë se një person i dyshuar, i cili ishte në kërkim policor, po qarkullonte në këtë zonë. Patrullat policore që ndodheshin në afërsi kanë dalë në terren për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Gjatë realizimit të kërkimit, policia është njoftuar se një shtëpi banimi ishte përfshirë nga zjarri. Pas një kohe të shkurtër, është konfirmuar se flakët kanë përfshirë edhe autoambulancën e QMF-së së Ratkocit, e cila ishte e parkuar pranë objektit shëndetësor, duke shkaktuar dëme edhe në ambientet përreth.
Sipas informatave, në shkollën fillore të fshatit nuk janë shkaktuar dëme strukturore, por janë djegur disa drunj në afërsi të objektit.
Burimet bëjnë të ditur se përveç dëmeve materiale, nuk raportohet për persona të lënduar. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa është njoftuar edhe Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar që rasti të iniciohet si “Zjarrvënie”.
I dyshuari, emër i njohur për autoritetet, vazhdon të jetë në arrati dhe mbetet në kërkim intensiv nga patrullat policore


