
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Alban Zogaj, ka reaguar pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, ku u raportua për një kërcënim me bombë, duke thënë se rasti duhet trajtuar me seriozitet, pavarësisht dyshimeve se mund të jetë alarm i rremë.
“Kjo nuk është ndjenjë e mirë, edhe pse ka dyshime që mund të jetë edhe kërcënim i rrejshëm. Ka dyshime të tilla, por sidoqoftë ne duhet të presim komunikim zyrtar. Dhe ta marrim seriozisht,” tha Zogaj para mediave.
Ai shtoi se beson që niveli i sigurisë është i lartë, megjithatë, nuk përjashtoi mundësinë që rasti të jetë një reagim ndaj krizës politike.
“Unë konsideroj që siguria është e nivelit të lartë, por gjithçka mund të ndodh. Mund të jetë (si shenjë revolte si shkak i krejt situatës që ka ndodhur në Kuvend),” deklaroi deputeti i LDK-së.
Pas alarmit, Kuvendi u evakuua përkohësisht dhe nuk ka ende konfirmim zyrtar nga Policia e Kosovës lidhur me natyrën apo burimin e kërcënimit.