17 raste me elemente të veprave penale gjatë zgjedhjeve

Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj, ka pritur sot në takim Koordinatoren Kombëtare për Zgjedhje, prokuroren nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Laura Pula.

Sipas komunikatës, gjatë këtij takimi Qalsaj ka theksuar se toleranca zero ndaj çdo përpjekjeje për cenimin e vullnetit të qytetarëve dhe reagimi i menjëhershëm ndaj çdo dyshimi për parregullsi kanë dëshmuar vendosmërinë e Prokurorit të Shtetit për të mbrojtur ligjshmërinë, integritetin e zgjedhjeve dhe të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të votuar lirshëm.

Nga ana tjetër, prokurorja Pula, e informoi Qalajn se gjatë ditës së mbajtjes së zgjedhjeve, Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe, pas verifikimit dhe trajtimit të tyre, deri në mbyllje të procesit të votimit, është konstatuar se vetëm shtatëmbëdhjetë prej tyre paraqesin elemente të kryerjes së veprave penale kundër të drejtës së votimit. Nga të gjitha këto raste, po atë ditë  janë ndaluar pesë persona, ndërsa dymbëdhjetë persona janë liruar në procedurë të rregullt.

Më tej në komunikatë bëhet e ditur se Pula informoi po ashtu se është duke monitoruar trajtimin e këtyre rasteve nëpër prokuroritë themelore dhe se, deri më tani të gjitha rastet janë duke vazhduar në procedurë të rregullt.

Qalaj dhe Pula vlerësuan bashkëpunimin dhe angazhimin e prokurorëve në të gjitha nivelet, duke theksuar se mbrojtja e integritetit të zgjedhjeve dhe e të drejtës së qytetarëve për të votuar lirshëm mbetet prioritet i vazhdueshëm i sistemit prokurorial.

Artikuj të tjerë

Back to top button