Sulm i dyshuar ndaj autosallonit “Lip Auto” në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, dy persona në kërkim

Një incident i dyshuar si zjarrvënie ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së shtunës në autosallonin “Lip Auto”, që ndodhet në magjistralen Prishtinë–Ferizaj, pranë qendrës tregtare Prishtina Mall.

Ngjarja është regjistruar më 21 nëntor, rreth orës 01:10, kur dy persona të paidentifikuar, të cilët dyshohet se po udhëtonin me motoçikletë, kanë hedhur një shishe me lëndë djegëse në mesin e automjeteve të ekspozuara në autosallon.

Pas veprimit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur.

Zjarri është vërejtur nga punonjësit e sigurimit, të cilët kanë reaguar menjëherë duke përdorur pajisjet kundër zjarrit. Falë ndërhyrjes së tyre, flakët janë lokalizuar dhe shuar para se të arrinin ekipet e zjarrfikësve.

Nga ky incident nuk raportohet për persona të lënduar. Dëmet materiale, sipas të dhënave fillestare, janë të kufizuara, ndërsa vlerësimi i saktë i tyre pritet të bëhet në vijim.

Me autorizim të Prokurorit të Shtetit, rasti është cilësuar si “Zjarrvënie” dhe i është deleguar njësisë së hetimeve, e cila do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Deri më tani, nuk ka informacione për identitetin e dy personave që dyshohet se janë përfshirë n’rast.

Artikuj të tjerë

Back to top button