
Sot në Tiranë do të mbahet protesta e radhës kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
“Unë jam UÇK” është moto e kësaj proteste, e cila do të fillojë në ora 17:00 në sheshin “Skënderbe”.
Në mbështetje të protestës kanë dalë të gjitha partitë politike në Kosovë, duke përfshirë VV-në. Përkrahje i ka dhënë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti.
Deri me tani vetëm kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka mbështetur këtë protestë.
Pavarësisht heshtjes së Kurtit, mesazhi i protestës do të jetë kundërshtimi i padrejtësive të Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Koordinatori i kësaj proteste, Shkelqim Hajdari, ka treguar tregoi se kush do të jenë folësit në sheshin “Skënderbe”.
Ai ka bërë me dije se protestuesve do të iu drejtohet kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti.
“Nuk do ketë shumë folës, nuk do ketë politikanë. Protesta do të hapet nga kryetari i Organizatës së Veteranëve, Hysni Gucati dhe do të mbyllet, jo si politikan, por si ish-udhëheqës i luftës si në Kosovë, si në Maqedoni të Veriut, Ali Ahmeti”, ka thënë ai për Klan Kosova.
Ai ka treguar se masës do t`i drejtohet edhe ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu.
“Sigurisht do të flas ish-presidenti, Alfred Moisiu dhe përfaqësues të dëshmorëve të Shqipërisë që kanë rënë në luftën që është bërë në Kosovë dhe Maqedoni”, ka thënë ai.