AAK-ja i thotë “JO” Qeverisë Konjufca

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se është ftuar në takim nga mandatari Glauk Konjufca për formimin e Qeverisë.

Haradinaj është deklaruar pas mbledhjes së kryesisë së partisë, ku ka shprehur shqetësim për situatën politike dhe ekonomike në vend.

Kreu i AAK-së theksoi edhe njëherë tjetër se nuk do të votojë për Qeverinë Konjufca, ndonëse kishte pranuar ftesë për takim nga ai.

Megjithatë, Haradinaj bëri të ditur se nuk kishte marrë asnjë kërkesë për koalicion nga Lëvizja Vetëvendosje .

Ai theksoi se vonesat në miratimin e buxhetit dhe problemet me pagat e punëtorëve të sektorit publik po krijojnë vështirësi serioze.

Sipas Haradinajt, këto janë pasojë e qasjes së Qeverisë Kurti, e cila, siç tha ai, “ka penguar dhe zvarritur proceset”.

“Sapo përmbyllën takimin e kryesisë së partisë, së pari pas raundit të dytë pas zgjedhjeve në këtë takim diskutuam për zhvillimet politike në vend është një shqetësim i madh pengesat e gjata me pamundësi të aprovimit të buxhetit të vendit, dhe shumë situata të tjera që janë jo të lehta, punëtorët e RTK-së kanë mbetur pa paga”, deklaroi kryetari i AAK-së

Haradinaj deklaroi se dalja nga kjo gjendje është shpallja e zgjedhjeve të reja parlamentare, ndërsa njoftoi se AAK ka nisur përgatitjet për to.

“Ka shumë shqetësime të tjera në diskutim sot AAK-ja vlerëson që të gjitha këto vështirësi e sfida që po kalon Kosova si pasojë e qasjes së Kurtit i cili në vazhdimësi e ka pengu zvarrit proceset kemi shqetësim për këtë gjendje. Mendojmë që dalja nga kjo gjendje është pikërisht shpallja e zgjedhje, kjo ishte tema e dytë përgatitja për zgjedhjet parlamentare”, ka thënë Haradinaj.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button