Dyshime për komprometim të procesit: Kryesuesi i KPK-së mbajti në zyrë votat për zgjedhjen e anëtarit të ri

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka zhvilluar të enjten mbledhjen e anëtarëve, ku u bë e ditur se kryesuesi Ardian Hajdaraj ka mbajtur në zyrën e vet votat në procesin e zgjedhjes së anëtarit të ri.

Ai u pyet nga anëtari Veton Shabani se ku ndodheshin votat, për çka Hajdaraj u përgjigj: “Në zyrën time”.

“Ato vota, nëse janë tek ju, për mu dhe për çdokënd janë të komprometume. Unë s’di qysh ke pas guxim me i marrë ato vota në zyrën tënde”, tha Shabani.

Në mbledhje ndërhyri edhe anëtari tjetër i Këshillit, Arian Gashi, i cili theksoi se kishte kërkuar që votat të ruheshin në zyrën e sekretarit të KPK-së dhe jo në atë të kryesuesit, për të ruajtur integritetin dhe transparencën e procesit.

Ky diskutim u nxit gjatë kohës kur po shqyrtohet ankesa e kandidates Merita Kurtishi – Gaka, që ishte ankuar për ligjshmërinë e procesit të votimit.

Sipas njoftimit të KPK-së, ankesa e Kurtishi – Gakës është refuzuar.

Shfaq më shumë

Artikuj të ngjashëm

Back to top button