69-vjeçari kosovar dënohet me kusht për sulm seksual në Gjermani

Gjykata e Qarkut në Freiburg të Gjermanisë ka dënuar me kusht një 69-vjeçar për sulm seksual dhe dëmtim trupor, në një procedurë të përshpejtuar të zhvilluar këtë të hënë. Sipas njoftimit të Zyrës së Prokurorit Publik, të enjten u bë e ditur se i pandehuri është dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht dhe një gjobë prej 2,500 eurosh.
Rasti ka ndodhur të dielën pasdite, më 9 nëntor, në dhomën e avullit të një studioje fitnesi në zonën e Freiburgut. Sipas raportimeve të nachrichten-heute.net, shtetasi kosovar iu afrua pa arsye një gruaje 42-vjeçare, e komplimentoi dhe i bëri komente me nënkuptime seksuale. Kur ajo u përpoq të largohej nga sauna, ai e kapi për dore, i preku gjoksin dhe e puthi pa pëlqimin e saj, duke i shkaktuar edhe skuqje në qafë.
Gruaja ka arritur të largohet dhe ka njoftuar menjëherë stafin e studios, ndërsa i dyshuari, i cili jeton në Zvicër dhe ndodhej në rajon për fundjavë, u arrestua të njëjtën ditë.
Vendimi i shpallur të hënën, më 10 nëntor, nuk është ende i formës së prerë.



