Themelohet Fondacioni “Leotrim Ahmeti” në Mynih – një premtim i mbajtur nga biznesmeni Isak Neziri

Në Mynih është zyrtarizuar themelimi i Fondacionit “Leotrim Ahmeti”, një nismë e cila prej muajsh ishte në përgatitje dhe që biznesmeni Isak Neziri e kishte premtuar si një kauzë që do të merrte jetë. Ai ka falënderuar bashkatdhetarët, miqtë gjermanë dhe të gjithë donatorët që e kanë mbështetur këtë projekt me besim dhe pa hezitim.

Neziri ka shprehur mirënjohje të veçantë për Bahri Ahmetin, vëllain e të ndjerit Leotrim Ahmeti, si dhe për gjithë familjen Ahmeti, të cilët ndanë historinë e tyre të dhimbshme dhe frymëzuese. Ai tha se pikërisht kjo histori u bë bazë për krijimin e fondacionit, që ka për synim përjetësimin e emrit të Leotrimit dhe të gjithë fëmijëve të vrarë gjatë luftës në Kosovë. Sipas tij, qëllimi i fondacionit është që dhimbja e asaj periudhe të kthehet në mbështetje konkrete për fëmijët, nxënësit dhe studentët e sotëm, duke u hapur atyre rrugë më të mira për arsim dhe zhvillim.

Ai falënderoi posaçërisht donatorët dhe të pranishmit në ceremoninë e inaugurimit, mes tyre Clemens Baumgärtner nga CSU në Mynih, Deli Balidemajn, Bahri Canin dhe shumë bashkombas të tjerë për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshme ndaj kësaj kauze.

Neziri theksoi se themelimi i fondacionit është vetëm fillimi i punës, duke përsëritur zotimin se misioni i tyre do të jetë t’u sjellin fëmijëve të Kosovës më shumë dritë, më shumë mundësi dhe një të ardhme më të mirë.

Artikuj të tjerë

Back to top button