PDK e gatshme të propozojë emër për President, Tahiri: Vendit s’i bën nder dikush që ka pasë qasje të njëanshme

Arian Tahiri thotë se vendi ka nevojë për një figurë mbi partitë, me integritet vendor dhe ndërkombëtar.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partis Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka shprehur qëndrimin e kësaj partie lidhur me çështjen e presidentit, duke theksuar se Kosovës nuk i bën nder një emër që ka pasur qasje të njëanshme.

Sipas tij, PDK mbështet një kandidat që përfaqëson si pozitën ashtu edhe opozitën, si dhe qytetarët, duke pasur reputacion dhe integritet vendor e ndërkombëtar. Ai theksoi se presidenti duhet të jetë figurë me kontribute intelektuale dhe që i bën nder shtetit.

“Nuk është faza që kemi folur për emra të përveçëm. Po flasim në parim dhe standarde për atë se kush duhet t’i plotësojë këto atribute për të qenë president i vendit. Vullneti i PDK-së është të kontribuojë në interes të institucioneve dhe shoqërisë. Por nëse nuk mund të gjendet dikush dhe nëse nuk ka disponim nga forca kryesore politike, PDK është e gatshme edhe të shkojë në zgjedhje”, tha Tahiri.

I pyetur nëse PDK do ta votonte Vjosa Osmani për një mandat të dytë, ai nuk përmendi emra konkretë, por ritheksoi se vendit nuk i shërben një figurë që përfaqëson vetëm një subjekt politik.

“Nuk po du me u lëshu në emra të përveçëm, por mendoj që vendit nuk i bën nder një emër që ka pas qasje të njëanshme, dikush që përfaqëson veç një grup apo subjekt. Po flasim për dikë që është mbi partitë politike. Nëse është e nevojshme dhe kërkohet, padyshim që PDK do të nxjerrë edhe emra”, u shpreh ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button