
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka uruar mësuesit me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, duke shprehur mirënjohje për kontributin e tyre në edukimin dhe formimin e brezave.
Kurti ka theksuar se mësimdhënësit janë “infrastruktura shoqërore mbi të cilën ndërtohet e ardhmja”, pasi ata përcjellin dijen dhe njohuritë, formësojnë mendimin kritik, kultivojnë vlera dhe edukojnë qytetarë.
Sipas tij, historia kombëtare dëshmon se arsimi në gjuhën shqipe ka qenë gjithmonë një akt përkushtimi dhe rezistence, falë të cilit janë ruajtur dhe zhvilluar gjuha, kultura dhe atdhedashuria ndër breza.
Ai ka kujtuar gjithashtu se 7 Marsi përkon me ditën e tretë të Epopeja e UÇK-së, duke përmendur figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari.
“7 Marsi, në ditën e tretë të Epopesë së UÇK-së, na e kujton edhe figurën e mësuesit patriot nga Prekazi, Shaban Jashari. Ai mishëroi ndërlidhen mes mësimit për jetë dhe dashurisë për atdhe. Mësuesin Shaban dhe familjen Jashari i kujtojmë dhe i nderojmë përherë si pjesë të pandashme të historisë sonë”ka shkruar Kurti.
Në fund të urimit të tij, Kurti ka falënderuar të gjithë mësueset dhe mësuesit për punën e tyre të palodhur dhe kontributin e çmuar, duke theksuar se investimi i Qeverisë në arsim dhe mbështetja për mësuesit dhe nxënësit mbetet një nga prioritetet kryesore.



