
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.
Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është për shkak se partitë kanë bërë më shumë propozime sesa që parasheh Kushtetuta.
Prandaj ajo ka ndërmarrë një hap të tillë.
“Presidentja Osmani i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me këtë çështje. Sapo ta marrë përgjigjen, do të vijohet me emërim. Në rrethanat aktuale janë bërë më shumë propozime nga grupet parlamentare sesa që parashikohet me Kushtetutë, prandaj duhet ta sqarojë këtë çështje Gjykata para se të vijohet tutje”, thuhet në përgjigje.
Këtë muaj Osmani ka kërkuar nga partitë politike propozimet e tyre që të dërgohen në Presidencë brenda afateve ligjore për përbërjen e re të KQZ-së
Sipas ligjit, Presidentja i kërkon subjekteve parlamentare nominimet për anëtarët e KQZ-së pas certifikimit të Kuvendit. Ndërkaq, partitë kanë një afat të caktuar për të dërguar propozimet e tyre.



