Platforma për mbledhjen e fondeve, “GoFundMe” ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga Endrit Azemi

Platforma për mbledhjen e fondeve, GoFundMe ka kthyer te dhuruesit të gjitha paratë e mbledhura nga Endrit Azemi, i cili, sipas autoriteteve në Kosovë shtirej se ishte i sëmurë me leukemi akute.
Endrit Azemi ditë më parë u arrestua nën dyshime për veprën penale të mashtrimit dhe më 23 nëntor Gjykata Themelore në Gjilan i caktoi masën e paraburgimit prej një muaji. Sipas autoritetet në Kosovë, përmes GoFundMe, ai mblodhi 162.522 euro.

Nga “GoFundMe” shprehën se kanë zero tolerancë për keqpërdorimin e kësaj platforme nga persona që tentojnë të keqpërdorin bujarinë e të tjerëve.

“Ekipi ynë identifikoi keqinterpretimin e fakteve, që bien ndesh me rregullat tona. Si rezultat i kësaj, fushata për mbledhjen e parave është mbyllur dhe të gjithë dhuruesit janë rimbursuar. Asnjë para nuk ka shkuar te organizatori”, tha GoFundMe.

Në ueb-faqen e platformës thuhet se ajo garanton mbrojtjen e të gjitha donacioneve dhe në rast se shohin se diçka nuk është në rregull, kthen të gjitha paratë te dhuruesit.

Paratë e mbledhura, sipas platformës, mbrohen për një vit nga momenti i dhurimit të tyre.

Platforma thotë se rastet e mashtrimit janë të rralla. Por, ekipet e saj të ekspertëve monitorojnë për çdo keqpërdorim apo abuzim të rasteve që raportohen, duke u mundësuar njerëzve që nëse kanë dyshime, t’i raportojnë ato.

Çfarë kanë thënë autoritetet në Kosovë për rastin?

Prokuroria Themelore në Gjilan pretendon se E.A. ka grumbulluar në total 189.206.8 euro.

Pjesa më e madhe është mbledhur përmes GoFundMe, përkatësisht 162.522 euro, ndërkaq 26.684.8 euro u mblodhën në qytetin e Gjilanit.

Ky institucion tha se pas informacioneve për dyshime për mashtrim, reagoi menjëherë dhe bllokoi të gjitha paratë që gjendeshin në llogaritë e evidentuara për rastin dhe e arrestoi të dyshuarin mbrëmjen e 21 nëntorit.

Kjo Prokurori pretendon se nga 9 nëntori deri më 21 nëntor, E.A. me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, duke u paraqitur si i sëmurë me leukemi akute, prezantoi dokumentacion të rremë nga një spital në Stamboll të Turqisë me arsyetimin se do t’i nënshtrohej trajtimit jashtë vendit për këtë sëmundje.

Artikuj të tjerë

Back to top button