Ndalohen tre persona pas përleshjes me thika e shkopinj druri në Vragoli

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ditën e djeshme ka ndaluar tre persona me inicialet B.S., V.S. dhe S.S., për shkak të dyshimit të bazuar se kanë kryer veprën penale ‘’Lëndim i lehtë trupor’’.
Sipas dyshimeve fillestare, Prokuroria thotë, se rreth orës 17:00, në fshatin Vragoli, Komuna e Fushë Kosovës, pas një mosmarrëveshje verbale ndërmjet palëve, ka eskaluar një përleshje fizike, ku janë përdorur mjete të rrezikshme, përkatësisht thika dhe shkopinj druri, me ç’rast disa persona kanë pësuar lëndime trupore.
“Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë, ndërsa ndaj tyre do të ndërmerren veprime të mëtejshme procedurale në përputhje me ligjin”, thuhet në njoftimin e PTH-së.



