Haradinaj: S’marrim pjesë në seancë, ka kohë që s’i shoh fjalimet e Kurtit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit e cila pritet të nis në orën 19:00.

Haradinaj para gazetarëve deklaroi se si parti janë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.

“Ne realisht na kanë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur një zgjidhje. Ndoshta sikur të kishim qenë pjesë e procesit nga fillimi ndoshta kishim mundur me i ndihmuar. Ajo që është me rëndësi është të mos vazhdohet me shkelje të Kushtetutës e votimit pa kuorum, sepse e çon vendin në drejtim të rrezikshëm. Nuk jemi pjesë e seancës. Kjo është lëvizje pa konsultë, pa dakordim, pa marrëveshje”, tha ai, raporton Kosovapress.

I pyetur se a i dëgjoi kritikat e kryeministrit Albin Kurti, që i drejtoi opozitës gjatë një konference për medie që ai mbajti sot, kreu i AAK-së tha se ka kohë që nuk i sheh fjalimet e shefit të ekzekutivit kosovar.

Edhe më pak se 5 orë kalon afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit të vendit. Nëse nuk ka zgjidhje të kësaj çështjeje vendi shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Kandidate për presidente janë Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Artikuj të tjerë

Back to top button