Abdixhiku: Koha e njerëzve që e duan Kosovën pa dramë e pa propagandë

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka reaguar pasi Kuvendi i Kosovës ka dështuar të zgjedhë presidentin e ri.

Ai ka thënë se pushteti me 51% ka kërkuar nënshtrim.

“Ne zgjodhëm Republikën. Kërkuan konsensus. Ua dhamë. U takuam. Kërkuan emra. Thamë Vjosën. E injoruan. Kërkuan nënshkrime. Ua dhamë, 15 sosh, sa i kishim. Në fund, kërkuan gjënë e vetme që dinin, nënshtrimin. Këtë s’mund ta kishin.”, ka shkruar ai.

Ai ka përmendur edhe Osmanin.

“Vjosën, Presidenten e deritashme, e panë vetëm si kuorum, si numër plotësues për Presidenten e tyre “karate”. Ne e pamë ndryshe. E pamë siç duhet të ishte edhe me votat e tyre, një Presidente përfaqësuese dinjitoze e Republikës. Ky është dallimi i madh mes nesh.”, ka shkruar Abdixhiku.

Kreu i LDK-së, ka thënë se këtë dallim do ta vulosë dhe do ta zgjedhë vetë populli i Kosovës.

“Tani është koha për bashkimin e njerëzve të mirë të këtij vendi, që duan një Kosovë normale, pa dramë, pa propagandë, me dinjitet brenda Lidhjes Demokratike. Do ta kemi! ”, ka shkruar ai.

Artikuj të tjerë

Back to top button