Gënjyen se posedonin kriptovaluta dhe morën 12 mijë euro, arrestohen dy ferizajas

Dy persona janë arrestuar në Ferizaj nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi”, ndërsa një tjetër është ende në arrati.
Sipas njoftimit të policisë, më 17 prill rreth orës 21:00 në stacionin policor në Ferizaj është raportuar një rast i veprës penale “Mashtrimi”, i cili kishte ndodhur në rrugën “Cen Dugolli” në Ferizaj.
Të dyshuarit, thotë policia, duke paraqitur rrejshëm se posedonin kriptovaluta, kanë organizuar takim me tre persona ( të dëmtuar), të cilët synonin të blinin kriptovaluta, transmeton Klankosova.tv.
Përmes mashtrimit, të dyshuarit kanë përvetësuar shumën prej 12,000 euro (nga 4,000 euro secili).
“Pas marrjes së parave, të dyshuarit janë arratisur nga vendi i ngjarjes, nga dritarja e një lokali. Gjatë hetimeve në zhvillim, me 29.04.2026, personat e dyshuar po përgatisnin një rast të ngjashëm në rrugën ‘Ismail Reka’ në Kaçanik. Policia ka ndërhyrë me kohë, duke arrestuar të dyshuarit A. L.( 25 vjeç) dhe R.J ( 23 vjeç), ndërsa i dyshuari i tretë, i identifikuar nga policia, ka arritur të largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë operacionit janë sekuestruar po ashtu prova materiale, përfshirë një makinë për numërimin e parave, një çantë dhe një veturë Golf 7.
Pas intervistimit dhe me vendim të prokurorit të shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.



