
Ministria e Punëve të Brendshme ka konfirmuar se në garë për drejtor policie janë Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi.
Konkursi për këtë pozitë është hapur pas dorëheqjes së Gazmend Hoxhës nga drejtimi i Policisë, më 30 tetor të këtij viti, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.
“Sipas njoftimit publik, afati për aplikim ka qenë i hapur deri më 19 nëntor 2026. Brenda këtij afati kanë aplikuar gjithsej gjashtë (6) kandidatë: Granit Fetahu, Fehmi Hoti, Sladjana Stojanovic, Arbnesh Ajvazi, Arben Paqarizi dhe Agron Rukiqi. Komisioni për Emërime të Larta në Polici (KELP) do të ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me Udhëzimin Administrativ nr. 13/2012 – MPB për Themelimin, Përbërjen dhe Procedurat e Komisionit për Emërime të Larta në Polici”, ka thënë Ministria e Punëve të Brendshme në një përgjigje”, thuhet në përgjigjjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ministria e Punëve të Brendshme kishte shpallur konkursin për Drejtor të Përgjithshëm më 4 nëntor, ndërsa afati për aplikim ishte deri më 19 nëntor 2026.
Sipas konkursit, drejtori i ri do të ketë mandat pesëvjeçar, me mundësi vazhdimi edhe për një mandat tjetër. Përzgjedhja dhe vlerësimi i kandidatëve bëhet nga Komisioni për Emërime të Larta në Policinë e Kosovës.



