U-21shat e Kosovës stërviten para ndeshjes miqësore ndaj Turqisë

Kombëtarja U-21 e Kosovës do të zhvillojë dy ndeshje miqësore gjatë kësaj jave, në kuadër të përgatitjeve të radhës së “Dardanëve” të rinj.
Ekipi i drejtuar nga Hekuran Kryeziu fillimisht do të udhëtojë drejt Stambollit, ku të mërkurën do të përballet me përfaqësuesen e Turqisë, me fillim nga ora 20:00, transmeton Klankosova.tv.
Pas këtij dueli, Kosova U-21 do të rikthehet në vend për ndeshjen e dytë miqësore ndaj Luksemburgut, e cila do të zhvillohet në Kampin Nacional të FFK-së në Hajvali, tre ditë më vonë.
“Dardanët” e rinj kanë zhvilluar përgatitjet e fundit në Kosovë para nisjes drejt Turqisë, ndërsa stafi teknik synon të testojë formën e lojtarëve dhe të konsolidojë skuadrën për sfidat e ardhshme ndërkombëtare.



