Aksion kundër krimeve kibernetike: Zbulohet skema e mashtrimit me SMS të rreme bankare

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Kibernetike në kuadër të NJHP-së, ka realizuar një aksion në disa lokacione të ndryshme, duke arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale të mashtrimit, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe ndodhen në arrati.

Gjatë operacionit janë zbatuar tre urdhër-kontrolle, me ç’rast janë sekuestruar prova të ndryshme materiale, përfshirë një veturë, telefona mobilë, kartela SIM dhe dokumente bankare.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim dhe koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës – Njësitin e Krimeve Kibernetike në kuadër të NJHP-së, kanë zbatuar 3 urdhër kontrolle në lokacione të ndryshme, të cilat kanë rezultuar me ndalimin e 2 personave, për shkak të dyshimit në kryerjen e veprës penale Mashtrimi nga neni 323 i KPRK-së. Gjatë zbatimit të këtyre urdhër kontrolleve janë sekuestruar një veturë, disa telefona, disa sim-kartela, si dhe fletëpagesa të bankave”, thuhet në komunikatën e përbashkët.

Sipas autoriteteve, të dyshuarit dyshohet se kanë organizuar një skemë mashtrimi përmes mesazheve telefonike të rreme, duke u paraqitur në emër të bankave komerciale dhe duke i nxitur qytetarët të japin të dhënat e tyre bankare.

“Sipas të dhënave të siguruara deri në këtë fazë, ekziston dyshimi se të dyshuarit në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve mes vete, nga muaji dhjetor 2025 e tutje, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, i nxisin të dëmtuarit që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre. Të dëmtuarit kanë pranuar mesazhe SMS kinse nga bankat komerciale me përmbajtjen ‘Në llogarinë tuaj është zbuluar aktivitet i dyshimtë. Ju lutemi identifikoni për të vazhduar përdorimin e shërbimit…’, ku përmes një linku të veçantë janë orientuar në faqe të rreme dhe kanë futur të dhënat e tyre bankare”, thuhet në njoftim.

Pas marrjes së të dhënave, autorët e dyshuar kanë pasur qasje në llogaritë bankare të viktimave dhe kanë tërhequr mjete financiare pa autorizim.

Sipas Prokurorisë dhe Policisë, deri më tani janë identifikuar rreth 150 persona të dëmtuar vetëm në rajonin e Prishtinës, ndërsa dëmi financiar i shkaktuar vlerësohet të jetë së paku 50 mijë euro.

“Numri i të dëmtuarve në këtë çështje, vetëm në regjionin e Prishtinës arrin numrin prej 150 personave, ndërkaq vlera e dëmit arrin shumën prej 50,000 euro. Jemi në pritje të paraqitjes së të dëmtuarve të tjerë nga regjione të ndryshme, me ç’rast numri i viktimave dhe vlera e dëmit pritet të jetë edhe më e madhe”, theksohet në komunikatë.

Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet po vazhdojnë dhe se do të ndërmerren veprime të mëtejshme për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë skemë mashtruese.

“Prokurori i shtetit do të vazhdojë të trajtojë rastet e kësaj natyre me prioritet, si dhe do të ndërmerren veprime shtesë me qëllim identifikimin e të dyshuarve tjerë potencial lidhur me këtë rast”, përfundon komunikata e përbashkët.

Artikuj të tjerë

Back to top button