Punëtorët e RTK-së në protestë, kërkojnë ekzekutimin e plotë të pagave

Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës do të protestojnë të martën, më 9 qershor 2026, duke filluar nga ora 12:00 para objektit të Televizionit të Kosovës, me kërkesën për ekzekutimin e menjëhershëm të pjesës së mbetur të pagave.

Në një njoftim të përbashkët, Sindikata e Pavarur e RTK-së, Sindikata e Punëtorëve të RTK-së dhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës shprehën pakënaqësinë ndaj mosalokimit të plotë të pagave, duke theksuar se deri më tani nuk është ofruar asnjë zgjidhje konkrete nga organet drejtuese.

Sipas sindikatave, vonesat në pagesa kanë vështirësuar gjendjen financiare të qindra punëtorëve dhe familjeve të tyre, të cilët po përballen me vështirësi në përmbushjen e obligimeve të përditshme.

Organizatorët theksojnë se punëtorët nuk duhet të mbajnë përgjegjësi për problemet financiare dhe organizative të institucionit dhe se pagesa e rregullt e pagave është një e drejtë themelore e tyre.

Përmes kësaj proteste, sindikatat u kanë bërë thirrje të gjithë punëtorëve të RTK-së që të bashkohen në mbrojtje të të drejtave të tyre, dinjitetit profesional dhe sigurisë ekonomike.

Artikuj të tjerë

Back to top button