Mëngjes i ngrohtë sot, gjatë ditës priten reshje shiu

Gjatë ditës së mërkurë parashihet të mbajë mot me diell dhe vranësira të shpërndara.
Gjatë pjesës së dytë të ditës, bazuar në të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, vranësirat do të dendësohen dhe vende-vende do të krijojnë kushte për reshje shiu me karakter lokal, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Në zona të izoluara nuk përjashtohet mundësia e reshjeve të breshrit.
Ndërkohë, temperaturat minimale parashihen të lëvizin nga 13 deri në 17°C, e ato maksimalet nga 26 deri në 29°C.
Era pritet të fryjë kryesisht nga verilindja me shpejtësi 1–11 m/s.



