Gruaja nga Istogu raporton në polici se u sulmua me grushta dhe u kap prej flokësh nga bashkëshorti i saj

Një rast i ri i dhunës në familje është raportuar në Istog, ku një grua ka kërkuar ndihmën e Policisë pasi pretendon se është sulmuar fizikisht nga bashkëshorti i saj, me të cilin ka 18 vite martesë dhe tre fëmijë.
Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në fshatin Orrobërdë, ndërsa viktima, R.N, ka deklaruar në Stacionin Policor në Istog, në prezencën e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale, se bashkëshorti i saj, e kishte goditur disa herë në trup dhe më pas e kishte kapur për flokësh. Sipas saj, kjo nuk është hera e parë që përballet me dhunë nga i njëjti person. Ajo ka deklaruar se edhe në të kaluarën kanë përfunduar në Gjykatë për shkak të incidenteve të ngjashme, por se rastet janë mbyllur pas pajtimit ndërmjet tyre.
Nga ana tjetër, i dyshuari ka pranuar se e ka kapur bashkëshorten për flokësh, por ka mohuar ta ketë goditur, duke pretenduar se bëhej fjalë për një reagim të çastit.
Pas incidentit, viktima është larguar nga shtëpia dhe ka gjetur strehim te familjarët e saj. Me urdhër të Prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.



