10-vjeçarja në tubimin zgjedhor, Supremja konfirmon ndëshkimin e LVV-së

Kolegji i Gjykatës Supreme të Kosovës ka refuzuar si të pabazuar ankesën e subjektit politik Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke lënë në fuqi gjobën prej 5.100 eurosh të shqiptuar për përfshirjen e një fëmije në një aktivitet të fushatës zgjedhore.

Sipas njoftimit të Gjykatës Supreme, PZAP kishte pranuar si të bazuara ankesat e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), duke konstatuar se gjatë një tubimi zgjedhor të organizuar nga LVV më 31 maj 2026 në Vushtrri, një vajzë 10-vjeçare kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitet.

Nga provat e administruara rezulton se e mitura kishte dalë në skenë para pjesëmarrësve të tubimit dhe kishte recituar, ndërsa ishte e veshur me veshje që përmbanin logon e subjektit politik.

LVV kishte kundërshtuar vendimin e PZAP-së, duke argumentuar se vajza nuk kishte qenë pjesë e programit zyrtar të organizuar nga partia dhe se paraqitja e saj kishte ndodhur me iniciativën e vetë të miturës, në prani të prindit të saj.

Megjithatë, Gjykata Supreme vlerësoi se këto pretendime nuk e ndryshojnë përgjegjësinë e organizatorit të aktivitetit.

Në arsyetimin e saj, Gjykata theksoi se neni 5, paragrafi 3 i Rregullores Zgjedhore nr. 07/2024 përcakton qartë se: “Asnjë subjekt politik i certifikuar nuk mund të angazhojë persona nën moshën pesëmbëdhjetë (15) vjeç në fushatën zgjedhore.”

Sipas vendimit, për të konstatuar shkeljen nuk është vendimtare se kush e ka marrë iniciativën për pjesëmarrjen e fëmijës.

“Për ekzistimin e shkeljes nuk është vendimtare nëse iniciativa për pjesëmarrjen e të miturës ka ardhur nga organizatori apo nga vetë e mitura, si dhe nuk ka rëndësi nëse ka pasur koordinim apo planifikim paraprak”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës Supreme.

Kolegji vlerësoi se elementi përcaktues është fakti që organizatori i aktivitetit ka lejuar pjesëmarrjen aktive të një fëmije në një aktivitet zgjedhor, pavarësisht mënyrës se si ka ardhur deri te ajo paraqitje.

Gjykata po ashtu nënvizoi përgjegjësinë e organizatorëve për menaxhimin e aktiviteteve zgjedhore dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve.

“Organizatori i tubimit ka përgjegjësi për menaxhimin e aktivitetit dhe për personat që paraqiten në skenë para pjesëmarrësve. Në rrethanat e rastit konkret, e mitura kishte marrë pjesë në mënyrë aktive në aktivitetin zgjedhor”, theksohet në vendim.

Duke iu referuar qëllimit të dispozitave ligjore që synojnë mbrojtjen e interesit më të mirë të fëmijëve dhe ndalimin e përfshirjes së tyre në fushata zgjedhore, Gjykata Supreme arriti në përfundimin se vendimi i PZAP-së është i drejtë dhe i bazuar në ligj.

Për rrjedhojë, ankesa e LVV-së u refuzua si e pathemeltë, ndërsa në fuqi mbeti vendimi i PZAP-së për shqiptimin e gjobës prej 5.100 eurosh ndaj subjektit politik.

Artikuj të tjerë

Back to top button