Azemi tregon se kur pritet të dalin 100 eurot e qeverisë për punëtorët e sektorit privat

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, Jusuf Azemi, ka bërë të ditur se shpërndarja e 100 eurove të premtuara nga qeveria për punëtorët e sektorit privat pritet të fillojë shumë shpejt.
Sipas tij, bazuar në informacione jozyrtare, procesi mund të nisë që nesër, ose më së largu të hënën.
Azemi tha se procesi i realizimit të kësaj mase kishte ngecur, duke krijuar pasiguri te përfituesit, ndërsa sindikata është detyruar të reagojë publikisht për të kërkuar sqarime.
“Veprimet për këto shtesa ranë në një farë gjumi dhe ne e pamë që diçka nuk po funksiononte. Është normale që pas kërkesave të punëtorëve, na u desh të intervenojmë dhe të kërkojmë publikisht nga kryeministri dhe ministri i Financave që t’i ngrisin këto çështje”, deklaroi Azemi.
Ai shtoi se, ndonëse shuma nuk është e madhe, ajo mbetet e rëndësishme për punëtorët dhe duhet të dihet koha e saktë e ekzekutimit.
“Është një shumë e vogël, e premtuar, dhe punëtorët dëshirojnë ta dinë se kur do të ndodhë kjo”, tha ai.



