Serwer: Jam penduar që kam mbështetur krijimin e Gjykatës Speciale, paraburgimi i gjatë ka qenë i pajustifikueshëm

Profesori amerikan, Daniel Serwer ka deklaruar se është penduar që ka mbështetur krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Sipas tij, mbajtja në paraburgim e ish-krerëve të UÇK-së, si para fillimit të gjykimit, ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor për kohë të gjatë, është e pajustifikuar.

“Sigurisht që nuk e kam idenë se çfarë vendimi do të marrin. Ajo që do të thosha është se pendohem që e kam mbështetur krijimin e këtyre Dhomave të Specializuara, sepse mendoj se paraburgimi i gjatë, si para fillimit të gjykimit, ashtu edhe gjatë procesit gjyqësor, ka qenë i pajustifikuar, sipas mendimit tim.”, ka deklaruar Serwer.

Ai ka përmendur ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, duke thënë se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në.

“Ndjenja ime e fortë, veçanërisht sa i përket Hashim Thaçit, sepse e njoh atë dhe e njoh më mirë rolin e tij sesa të të tjerëve, është se ai nuk ka pasur autoritet komandues mbi UÇK-në. Prandaj, mbajtja e tij përgjegjës mbi këtë bazë do të ishte një gabim i rëndë”, ka shtuar Serwer.

Megjithatë, ai ka thënë se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata.

“Mendoj se duhet të respektohet çfarëdo vendimi që merr gjykata, por kjo nuk e ndryshon pikëpamjen time nëse një dënim është i justifikuar apo jo. Të tjerët nuk i njoh mirë, por Hashimin e njoh dhe e kam takuar menjëherë pas luftës. E pyeta për rolin e tij në UÇK dhe e di se ai rol nuk përfshinte autoritet komandues”, është shprehur profesori amerikan. /EO

Artikuj të tjerë

Back to top button