Paçarizi për rënien e votave të VV-së: Do të duhej të humbte më shumë

Opinionisti Rrahman Paçarizi sonte në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova ka komentuar rënien e votave të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e cilësuar si një zhvillim normal për një parti që ka qenë për një periudhë të gjatë në pushtet.Paçarizi tha se pas thuajse shtatë vitesh qeverisje, një parti politike zakonisht përballet me humbje të mbështetjes elektorale, sidomos kur kalon nëpër periudha të vështira dhe siç tha ai, në kriza.
“Unë mendoj që është normale një rënie e tillë. Madje, pas shtatë vjetësh në pushtet, pas shtatë vitesh qeverisje, një parti politike normalisht që do të duhej të kishte humbur vota. Unë mendoj që do të duhej të kishte humbur më shumë. Jo pse është Lëvizja Vetëvendosje, por cilado parti e cila do të kishte qëndruar në pushtet për shtatë vjet, tre vjet prej tyre në kriza. Do të duhej të kishte humbur më shumë vota, do të kishte qenë normale të humbte më shumë vota”, tha ai.Ai përmendi edhe vështirësitë institucionale pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, si dhe ndikimin e ardhjes së mërgimtarëve në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar.
“Faktin që i ka fituar zgjedhjet e shkurtit të vitit 2025, nuk ka arritur t’i bëjë institucionet, i ka fituar zgjedhjet e dhjetorit 2025 me një rekord, domethënë sigurisht të kushtëzuar edhe nga ardhja masive e mërgimtarëve gjatë pushimeve. Prapë se prapë, pas krejt këtyre problemeve, kjo humbje për mua nuk është humbje realisht. Nuk është ndonjë humbje, sepse humbja do të duhej të kishte qenë më e madhe për secilën parti politike e cila kalon nëpër fazat e qeverisjes nëpër të cilat ka kaluar Lëvizja Vetëvendosje”, deklaroi ai.



