
IPK po interviston në spital qytetarin serb që pretendon se u rrah nga disa pjesëtarë të Policisë në Zubin Potok.
Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë intervistuar në Spitalin e Mitrovicës së Veriut Nenad Raskoviqin, i cili ka pretenduar se është rrahur më 11.08.2026 në fshatin Dren të Zubin-Potokut, nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës. Sipas informacioneve të siguruara, hetuesit e IPK-së paraditen e kësaj të mërkure kanë qëndruar brenda hapësirave të spitalit dhe kanë intervistuar Nenad Raskoviqin lidhur me pretendimet e tij. Raskoviq është duke marrë trajtim në mjekimin intensiv, ndërsa ende nuk dihen rrethanat e plota të pretendimeve të tij. IPK-ja pritet të mbledhë informacione dhe dëshmi lidhur me pretendimet e Raskoviqit, në kuadër të veprimeve hetimore për rastin.
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka filluar një hetim preliminar sipas detyrës zyrtare bazuar në raportimet mediale dhe deklaratat publike të datës 11 gusht 2026 lidhur me pretendimet nga qytetari me inicialet N.R për tejkalim të autorizimeve policore ndaj disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
IPK ka filluar këtë hetim paraprak me qëllim të verifikimit të pretendimeve dhe sqarimit të të gjitha fakteve dhe rrethanave relevante që lidhen me këtë rast respektivisht veprimeve policore gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Dren të Zubin Potokut.
Duke mos paragjykuar rezultatin e hetimit, qëllimi i kësaj faze është mbledhja dhe vlerësimi i të gjitha informacioneve dhe provave të disponueshme në përputhje me mandatin ligjor të Inspektoratit. Inspektorati Policor i Kosovës do të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale brenda kompetencave, përfshirë bashkëpunimin me institucionet përkatëse, sigurimin e dokumentacionit dhe informacioneve zyrtare, intervistimin e personave që mund të kenë njohuri për incidentin etj.



