
Gjykata Themelore në Ferizaj ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit me inicialet Sh.R, i dyshuar për veprën penale “sulm seksual”.
Sipas njoftimit të gjykatës, ekziston dyshimi i bazuar se më 16 gusht 2026, në rrugën Ferizaj–Gjilan, i dyshuari ka kryer veprime me karakter seksual ndaj një të miture rreth 14-vjeçare, e cila ndodhej në veturën e tijj.
Gjykata ka bërë të ditur se e mitura, pasi ka vërejtur situatën, ka kërkuar të ndalet në një pikë të rrugës, ku ka arritur të largohet nga vetura dhe të njoftojë Policinë. I dyshuari më pas është arrestuar.
Sipas vendimit, e mitura ka pësuar frikë, ankth dhe pasiguri, ndërsa ka kërkuar edhe ndihmë mjekësore.
Pas seancës dëgjimore dhe shqyrtimit të shkresave të lëndës, gjyqtarja e procedurës paraprake, Fitore Daci Krivanjeva, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit për një muaj.
Gjykata ka njoftuar se ankesa kundër këtij aktvendimi nuk e shtyn ekzekutimin e tij.
Çfarë raportoi TandemPress lidhur me rastin?
Një ngjarje e rëndë u raportua të dielen pak para mesnatës në fshatin Bibaj të Ferizajt
Një 14-vjeçare ka kërkuar ndihmë pasi dyshohet se është prekur pa pëlqimin e saj nga një 44-vjeçar gjatë udhëtimit me veturë.
Njësia e Trafikut Rajonal që ndodhej në një pikë kontrolli është njoftuar nga një qytetar se një vajzë që gjendej te banjot e “Hib Petrol” kishte nevojë për ndihmë.
Viktima E.B, është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencë dhe më pas është intervistuar nga Hetimet Rajonale, në praninë e zyrtares së Qendrës për Punë Sociale.



