
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Mahmut Hoxhaj, për shkak të dyshimit të bazuar mirë se ka kryer veprat penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, të parapara me kodin penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, më 17 tetor 2025, rreth orës 16:15, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë, i pandehuri M.H., dyshohet se, nga hakmarrja, ka ndërmarrë veprime me qëllim të privimit nga jeta të tre personave, përkatësisht B.G., A.G. dhe B.G., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.U.
Sipas aktakuzës, i pandehuri, pasi kishte siguruar dy armë të gjata të tipit AK-47, dy armë të shkurtra dhe një sasi të konsiderueshme të municionit, ka monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve pranë qendrës së paraburgimit në Pejë. Më pas, kur të dëmtuarit ishin duke u larguar nga zona me një automjet, i pandehuri dyshohet se ka shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, duke përdorur dy armë të gjata.
Nga të shtënat me armë zjarri, sipas aktakuzës, kanë pësuar lëndime të rënda trupore i dëmtuari A.U., i cili ishte drejtues i automjetit, si dhe i dëmtuari B.G., ndërsa është rrezikuar jeta edhe e të dëmtuarve B.G. dhe A.G.
Po ashtu, nga të shtënat janë dëmtuar automjeti në të cilin ndodheshin të dëmtuarit, dy automjete të tjera, si dhe është dëmtuar një xham dhe një pjesë e inventarit të Gjykatës Themelore në Pejë, pasi njëri nga fishekët ka depërtuar brenda objektit të gjykatës.
Veprimet e të pandehurit janë ndërprerë pas intervenimit të Policisë së Kosovës, të cilët kanë arrestuar të pandehurin dhe kanë parandaluar vazhdimin e veprimeve të tij.
Ndërkaq, sipas aktakuzës, i pandehuri M.H. dyshohet se ka poseduar pa autorizim disa armë dhe municion, përfshirë dy armë të gjata, një pistoletë të llojit RPX9, një revolver të llojit DEIT, si dhe municion të kalibrave të ndryshëm, të cilat janë sekuestruar nga Policia e Kosovës.
Me këto veprime ekziston dyshimi i bazuar mirë se i pandehuri M.H. ka përmbushur elementet e veprave penale të përshkruara si më lartë.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit për veprat penale të cilat i vihen në barrë.
Ndryshe,Mahmut Hoxhaj dyshohet se ka ndërmarrë një sulm me armë zjarri ndaj disa personave, në një ngjarje që Prokuroria e lidh me hakmarrjen për vrasjen e vëllait të tij.
Ngjarja kishte ndodhur më 17 tetor 2025, në rrugën “Miftar Zeqa” në Pejë, pranë objektit të Gjykatës Themelore në Pejë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë, Hoxhaj dyshohet se kishte pritur personat të cilët sapo ishin liruar nga paraburgimi, pasi ndaj tyre ishte shpallur aktgjykimi në rastin e vrasjes së vëllait të tij, F.H.
Prokuroria dyshon se Hoxhaj, pasi kishte siguruar armë të gjata të tipit AK-47, armë të shkurtra dhe municion, kishte monitoruar lëvizjet e të dëmtuarve dhe më pas kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tyre, teksa ata po largoheshin me automjet.
Nga të shtënat, sipas aktakuzës, janë plagosur rëndë dy persona, ndërsa është rrezikuar edhe jeta e personave të tjerë që ndodheshin në automjet.
Në aktakuzë thuhet se plumbat kanë dëmtuar edhe automjetet përreth, ndërsa njëri prej tyre ka depërtuar edhe në objektin e Gjykatës Themelore në Pejë.


