Neser kufizohet qarkullimi i kamionëve në autoudhë

Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar qytetarët dhe operatorët ekonomikë se, bazuar në parashikimin zyrtar të temperaturave për ditën e nesërme, do të zbatohet kufizim i përkohshëm i qarkullimit për automjetet e transportit të mallrave me masë totale mbi 20 tonë.

Sipas njoftimit, në autoudhë kufizimi do të jetë në fuqi nga ora 11:00 deri në 17:30, pasi temperaturat e parashikuara pritet të arrijnë ose tejkalojnë 32 gradë Celsius.

Ndërkohë, në rrugët nacionale, rajonale dhe lidhëse qarkullimi do të lejohet pa kufizime.

Nga ky kufizim përjashtohen automjetet e organeve të rendit dhe sigurisë publike, shërbimeve emergjente dhe institucioneve shëndetësore.

Ministria u ka bërë thirrje operatorëve ekonomikë dhe ngasësve që të respektojnë masën e përcaktuar dhe të planifikojnë qarkullimin në përputhje me orarin e kufizimit.

Artikuj të tjerë

Back to top button