
Kosova po pëson dëme të mëdha në arenën ndërkombëtare si pasojë e mungesës së institucioneve të konsoliduara dhe pasivitetit në diplomaci, ndërsa kjo situatë po i krijon hapësirë Serbisë për të lobuar kundër shtetësisë së Kosovës, vlerësojnë njohës të çështjeve ndërkombëtare dhe analistë politikë
Sipas tyre, ngërçi politik i zgjatur dhe mungesa e një përfaqësimi të plotë institucional jashtë vendit po e dobësojnë pozitën e Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë, në një kohë kur Serbia vazhdon aktivitetet e saj diplomatike kundër Kosovës.
Drejtori i Institutit të Konsulencës Politike “POLCON”, Fitim Mulolli, tha për EO se mungesa e Kosovës në forumet ndërkombëtare dhe pasiviteti diplomatik kanë pasoja të mëdha për sovranitetin ndërkombëtar të vendit.
“Duhet të thirrem pak në përvojën time që e kam goxha të gjatë në arenën ndërkombëtare me pjesëmarrje të shumta në qindra konferenca, organizata ndërkombëtare, duke punuar për organizata ndërkombëtare brenda dhe jashtë vendit, pjesëmarrjen në organizatat e tilla me diplomaci multilaterale, dhe mungesa e Kosovës në këto forume apo pasiviteti i Republikës së Kosovës jashtë vendit ka pasoja shumë të mëdha dhe shumë të dëmshme për sovranitetin, të paformësuar ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”, tha ai.
Mulolli tha se Serbia vazhdon të lobojë në mënyrë aktive kundër pavarësisë së Kosovës në institucionet ndërkombëtare, ndërsa mungesa e përfaqësimit të Kosovës i krijon hapësirë Beogradit që të veprojë pa kundërpërgjigje.
“Pse e them këtë sepse Serbia asnjëherë nuk ka heq dorë nga luftimi i pavarësisë së Kosovës, vazhdon në çdo korridor të çdo institucioni ndërkombëtar të lobojë në mënyrë agresive kundër shtetësisë së Kosovës, prandaj në çdo vend ku Kosova mungon ose nuk ka përfaqësim të mirëfilltë ose të plotë ajo krijon hapësirë për Serbinë që të flasë dhe të mos kundërshtojë askush”, tha ai.
Ai vlerësoi se marrëdhëniet e Kosovës me partnerët kryesorë ndërkombëtarë janë dëmtuar, duke përmendur pezullimin e dialogut strategjik me SHBA-në dhe ngecjet në procesin e integrimit evropian.


