
Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, nuk janë pajtuar për rendin e hapave në Kuvend, dhe kjo po e vështirëson marrëveshjen për Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe zgjedhjen e presidentit, raporton Gazeta Express, duke cituar burime.
Sipas mdiumit, Kurti ka propozuar që projektligji për Specialen të miratohet fillimisht vetëm në lexim të parë. Pas kësaj, Kuvendi do të zgjidhte presidentin, dhe vetëm atëherë do të votohej leximi i dytë.
Hamza, sipas raportimit, e ka refuzuar këtë formulë. PDK-ja kërkon që ligji të miratohet në të dy leximet përpara se partia të përfshihet në zgjedhjen e presidentit. PDK-ja nuk kërkon që presidenti i ardhshëm të jetë kandidat i saj. Hamza i ka thënë Kurtit se është i hapur për emrat që propozon ai, me kusht që procedura për Specialen të përfundojë më parë.
Nacionale nuk ka mundur t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto informacione.
Pas takimit me kryeministrin Albin Kurti, Hamza tha se bisedimet mes palëve kanë përfunduar, por marrëveshja ende nuk është arritur.
Para mediave, Hamza e përsëriti qëndrimin që PDK-ja ka mbajtur deri tani.
“Vazhdimisht po e them, kërkesa e PDK-së është aprovimi i ligjit në dy lexime, aprovimi final i ligjit”, deklaroi ai.
Kur ligji të kalojë në të dy leximet, PDK-ja premton se nuk do ta zvarrisë çështjen e kreut të shtetit. Sipas Hamzës, gjithçka mund të zgjidhet brenda së njëjtës seancë.
“Pastaj PDK është e gatshme që, në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, të bisedojë, të japë zgjidhjen për presidentin dhe të japë votat për presidentin.”
Për takimin me Kurtin, kryetari i PDK-së ishte i shkurtër.
“Bisedat i kemi përfundu.”
Megjithatë, ai nuk e mbylli derën. Hamza tha se ka ende kohë që palët të bien dakord.
“Kemi edhe disa ditë ku kemi mundësi me arrit marrëveshje.”
Për rezultatin, ai nuk dha asnjë garanci.
“Nuk e di a do të ndodhë marrëveshja”, tha Hamza.



