Arrestohet i dyshuari për sulmin ndaj gazetarit Jeton Sopa gjatë protestës në Prishtinë

Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar për sulmin ndaj gazetarit Jeton Sopa, i cili ishte sulmuar gjatë protestës së 5 tetorit pranë Kuvendit të Kosovës

Sipas Policisë, personi me inicialet L.G. dyshohet se e ka sulmuar Sopën në kohën kur ai po raportonte nga protesta. Gazetari kishte raportuar se ishte penguar gjatë kryerjes së detyrës së tij profesionale dhe më pas e kishte paraqitur rastin në Polici.

Arrestimi i të dyshuarit është bërë pas zhvillimit të hetimeve lidhur me ngjarjen, ndërsa ndaj tij pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.Pas incidentit, vetë Sopa kishte reaguar publikisht duke rrëfyer se rreth orës 10:00 kishte shkuar për ta përcjellë seancën e Kuvendit. Ai tha se fillimisht kishte tentuar të hynte nga hyrja zyrtare që përdorin gazetarët, por ishte udhëzuar nga Policia të shkonte në një hyrje tjetër për shkak të bllokimit nga protestuesit. Edhe aty, sipas tij, nuk ishte lejuar të hynte në oborrin e Kuvendit, ndaj kishte qëndruar në hapësirën mes protestuesve dhe Policisë, së bashku me gazetarët e tjerë.

Sopa ka deklaruar se pas disa minutash disa persona me kapele me mbishkrimin “Liria ka emër” kishin filluar ta fyenin dhe ta kërcënonin, duke e akuzuar se ishte i afërt me Fatmir Shehollin. Sipas rrëfimit të tij, njëri prej personave i kishte dhënë një logo ngjitëse të UÇK-së, siç thotë ai, për ta “testuar”, ndërsa Sopa e kishte vendosur në xhaketë dhe kishte treguar kartelën e veteranit të UÇK-së, duke sqaruar se edhe vetë kishte qenë pjesëtar i saj.Gazetari ka thënë se nuk kishte reaguar ndaj fyerjeve dhe kërcënimeve dhe se kishte kërkuar vetëm të lejohej ta kryente punën. “Më kapën, më shtynë dhe më goditën”, ka shkruar Sopa, duke bërë të ditur se më pas kishte shkuar në stacionin policor për ta raportuar rastin.

Artikuj të tjerë

Back to top button