
Një ndërhyrje urgjente është realizuar me sukses në Klinikën e Pulmologjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ku një 63-vjeçare kishte një trup të huaj në rrugët e frymëmarrjes që i kishte bllokuar plotësisht bronkun kryesor të majtë
Sipas QKUK-së, pacientja ishte paraqitur si rast urgjent me dyshimin për praninë e një trupi të huaj në rrugët e frymëmarrjes. Pas ekzaminimit me CT të toraksit, ishte konfirmuar se objekti ndodhej në bronkun kryesor të majtë dhe kishte shkaktuar mbyllje të plotë të lumenit bronkial, duke krijuar rrezik serioz për komplikime të mëtejshme.
Për shkak të situatës, ekipi i Klinikës së Pulmologjisë ka ndërhyrë menjëherë përmes bronkoskopisë, me qëllim largimin e trupit të huaj dhe lirimin e rrugëve të frymëmarrjes.Ndërhyrja ka përfunduar me sukses, ndërsa pacientes i është ofruar trajtimi i nevojshëm pas procedurës. QKUK ka vlerësuar se reagimi i shpejtë, koordinimi mes ekipeve dhe ndërhyrja në kohë kanë shmangur komplikime që mund të ishin serioze dhe potencialisht kërcënuese për jetën.



