Shtohen rastet e gripit sezonal, deri në 200 pacientë në ditë drejtohen në qendra të mjekësisë familjare

Me fillimin e sezonit të vjeshtës, në Kosovë është shënuar rritje e numrit të pacientëve me simptoma të gripit sezonal. Megjithatë, vaksinimi kundër gripit, i cili ishte planifikuar të niste në javën e parë të tetorit, është shtyrë për shkak të vonesave në furnizimin me vaksina.

Fluksi i pacientëve është rritur në qendrat e mjekësisë familjare, ku qytetarë të grupmoshave të ndryshme po kërkojnë trajtim mjekësor.

Vetëm në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Dardani, brenda ditës marrin shërbime deri në 200 pacientë, një numër i konsiderueshëm i të cilëve paraqiten me simptoma të gripit.Specialistja e mjekësisë familjare, Nesrije Paqarada, ka bërë të ditur se simptomat po prekin të gjitha grupmoshat, nga fëmijët deri te personat e moshuar.

Ajo ka theksuar se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për parandalimin e gripit sezonal, veçanërisht për personat e moshuar dhe ata që kanë probleme të tjera shëndetësore.“Vaksinimi kundër gripit gjithmonë ka qenë më efikas, prej viteve kur ne e përdorim, e shohim që numri i të sëmurëve është më i vogël”, ka deklaruar Paqarada.

Ndërkohë, sipas Institutit të Shëndetësisë Publike, vaksinat kundër gripit sezonal për sezonin 2026/2027 pritet të arrijnë në Kosovë më 21 tetor.Vonesa është shkaktuar nga ndryshimet në procesin ndërkombëtar të prodhimit të vaksinave, të cilat kanë ndikuar në afatet e prodhimit dhe furnizimit në nivel global, përfshirë edhe Kosovën.

Deri në fillimin e vaksinimit, qytetarëve u rekomandohet të shtojnë kujdesin për shëndetin dhe të zbatojnë masat parandaluese.Mjekët këshillojnë personat që shfaqin simptoma të gripit të qëndrojnë në shtëpi, të kujdesen për higjienën personale, të përdorin maska, të konsumojnë lëngje dhe të shmangin ambientet e mbipopulluara, për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së infeksionit

Artikuj të tjerë

Back to top button