Projektligji për Byronë kaloj në lexim të parë, IKD paralajmëron për rreziqe juridike

Projektligji për Byronë kaloi në lexim të parë, IKD paralajmëron për rreziqe juridike. Kuvendi i Kosovës e ka miratuar më 5 tetor, në lexim të parë, Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 81 vota për.

Megjithatë, projektligji ka nxitur diskutime lidhur me pavarësinë e Byrosë, garancitë juridike për qytetarët, barrën e provës dhe respektimin e së drejtës së pronës.

“Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), ka kritikuar procesin e hartimit të këtij projektligji, duke theksuar se çështja e Byrosë diskutohet në Kosovë tash e gjashtë vjet dhe se gjatë kësaj periudhe projektligji është miratuar katër herë nga Qeveria.“Tash e gjashtë vite, në Kosovë është duke u diskutuar Ligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Gjatë kësaj periudhe, ky ligj është miratuar katër herë në Qeveri”, ka deklaruar Shala.

“Ai ka përsëritur qëndrimin e IKD-së se Kosova nuk ka nevojë për një mekanizëm të ri të konfiskimit civil të pasurisë.“Sa i përket nevojës së themelimit të një mekanizmi të tillë, IKD vazhdimisht ka theksuar se Kosovës, aktualisht, nuk i nevojitet një mekanizëm i konfiskimit civil”, është shprehur ai.

Sipas Shalës, mungesa e rezultateve në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme përmes mekanizmave ekzistues nuk duhet të shërbejë si arsye për krijimin e një sistemi të ri.“Mungesa e rezultateve në konfiskimin e pasurisë së kundërligjshme sipas dispozitave të Kodit Penal dhe Ligjit për Kompetencat e Zgjeruara për Konfiskimin e Pasurisë nuk është arsye për ndërtimin e një sistemi të ri”, ka thënë ai.

Shala ka theksuar se, nëse ekziston vullneti politik për themelimin e Byrosë, duhet të sigurohen garanci të forta procedurale, të ruhet siguria juridike dhe të respektohet Kushtetuta.“Përderisa është vullnet politik që të ndërtohet një mekanizëm i tillë, është shumë e rëndësishme që ky mekanizëm të ofrojë garanci të mjaftueshme procedurale, të ruajë sigurinë juridike dhe të jetë në përputhje me Kushtetutën”, ka deklaruar ai.

Një nga çështjet kryesore që ka ngritur IKD-ja lidhet me mënyrën e zgjedhjes së drejtorit të përgjithshëm dhe anëtarëve të Komisionit Mbikëqyrës të Byrosë.Sipas Shalës, drafti i publikuar për konsultime publike parasheh që drejtori i përgjithshëm dhe anëtarët e Komisionit Mbikëqyrës, të cilët zgjidhen nga Kuvendi, të marrin votat e shumicës së deputetëve të pranishëm dhe që votojnë.

IKD-ja vlerëson se kjo çështje duhet të shqyrtohet me kujdes, në mënyrë që të sigurohet pavarësia institucionale e Byrosë dhe të shmanget mundësia e ndikimit politik në funksionimin e saj.Shala ka ngritur shqetësime edhe për momentin kur barra e provës kalon te pala, duke kërkuar që kjo çështje të qartësohet në projektligj.

“IKD vlerëson se duhet të qartësohet edhe momenti kur barra e provës kalon te pala”, ka thënë ai.Sipas tij, para se qytetarit t’i kërkohet të arsyetojë prejardhjen e pasurisë, gjykata duhet ta shqyrtojë propozimin e Byrosë dhe të vlerësojë nëse ai është i arsyetuar dhe i mbështetur në prova të mjaftueshme.

“Para kësaj, Gjykata duhet ta kontrollojë realisht propozimin e Byrosë dhe të konstatojë se ai është i arsyetuar dhe i mbështetur me prova të mjaftueshme. Vetëm pas këtij konfirmimi mund të kërkohet nga pala që ta arsyetojë pasurinë”, ka deklaruar Shala.Projektligji pritet të jetë sërish pjesë e debatit parlamentar në fazat e ardhshme, ndërsa çështjet e pavarësisë së Byrosë, garancive procedurale dhe mbrojtjes së të drejtave të qytetarëve mbeten ndër pikat kryesore të diskutimit.

Artikuj të tjerë

Lexo edhe për
Close
Back to top button